Lifestyle

Macet me gëzof portokalli, dhuratë e natyrës/Shkencëtarët zbulojnë se çfarë i bën ato kaq të veçanta…

Macet me gëzof portokalli njihen nga adhuruesit e kafshëve shtëpiake veçanërisht si të përzemërta. Por për gjenetistët, veçantia e tyre qëndron në mënyrën e pazakontë se si marrin ngjyrën. Tani, shkencëtarët thonë se kanë zbuluar një mister të kahershëm duke identifikuar mutacionin specifik në ADN që është përgjegjës për nuancën e artë të tyre, një variant që nuk është gjetur në asnjë kafshë tjetër.

Ky variant gjenetik përshkruhet për herë të parë në një artikull të botuar më 15 maj në revistën Current Biology.

“Ky është një lloj shumë i pazakontë mutacioni,” tha autori kryesor i studimit, Christopher Kaelin, shkencëtar i lartë në fushën e gjenetikës në Universitetin Stanford, Kaliforni.

Shumica dërrmuese e maceve plotësisht portokalli janë meshkuj, gjë që ka çuar shkencëtarët, që dekada më parë, të besojnë se kodi gjenetik për ngjyrën portokalli ndodhet në kromozomin X. Si te të gjithë gjitarët, macet femra kanë dy kromozome X, ndërsa meshkujt kanë një X dhe një Y. Kjo do të thotë se çdo mashkull që mbart variantin e ngjyrës portokalli në kromozomin e tij të vetëm X do të jetë plotësisht portokalli. Ndërsa një femër do të duhej të trashëgonte variantin në të dy kromozomet X (nga të dy prindërit), që është më e rrallë. Si pasojë, shumica e maceve femra me ngjyrë portokalli kanë modele të përziera.

Por se ku ndodhet saktësisht ky mutacion në kromozomin X, dhe si ndikon ai në krijimin e ngjyrës portokalli, ka qenë një enigmë deri më sot. Normalisht, mutacionet që çojnë në gëzof të verdhë ose portokalli tek kafshët (dhe flokë të kuq tek njerëzit) ndodhin brenda gjeneve që kontrollojnë pigmentin dhe këto gjene zakonisht nuk gjenden në kromozomin X.

“Kjo na sugjeroi se, duke identifikuar shkakun molekular, mund të mësonim diçka të re dhe interesante dhe kështu ndodhi,” tha Greg Barsh, bashkautor i lartë i studimit dhe profesor emeritus i gjenetikës dhe pediatrisë në Universitetin Stanford.

Zbulimi jo vetëm që hedh dritë mbi origjinën e veçantë të kësaj ngjyre kaq karizmatike të disa maceve, por gjithashtu zbulon njohuri të reja mbi një gjen të njohur për shkencën. Për rreth një dekadë, Christopher Kaelin ka ndjekur ekspozitat e maceve, duke u kërkuar pronarëve të maceve me gëzof portokalli që të merrte mostra të ADN-së së kafshëve përmes një tamponi në faqe./CNN