Showbiz

MacKenzie Scott/ Ish-partnerja e kreut të Amazon është tashmë gruaja më e pasur në botë

Autorja e filantropistja MacKenzie Scott, i ka shtuar së fundmi një tjetër titull vetes, atë të gruas më të pasur të botës.

Sipas indeksit të milionerëve të rrjetit Bloomberg, Scott, më parë e martuar me kreun e rrjetit Amazon (njeriu më i pasur në botë), Jeff Bezos, ka lënë prapa tashmë trashëgimtaren e L’Oréal, Francoise Bettencourt Meyers, me një pasuri neto prej $68 miliardë.

Scott raportohet se ka ndihmuar ish-burrin në ngritjen e perandorisë së Amazon gjatë 25 viteve të martesës së tyre, dhe gjithashtu mori 4 për qind të aksioneve të Bezos në kompani, sipas marrveshjes së divorcit në 2019.

Kjo copë aksionesh llogaritej në $35 miliardë asokohe, por pandemia që ka shkatërruar ekonomitë e miliona familjeve, i ka bërë të pasurit akoma më të pasur, teksa Bezos arriti kulmin e tij sipas financierëve kur fitoi në një ditë të vetme në korrik $13 miliardë.

Scott është zotuar të përdorë shumicën e pasurisë së saj për bamirësi. Në fillim të vitit ajo tha se ka dhuruar 1.7 miliardë për 116 organizata bamirësie, në dobi të barazisë gjinore dhe luftës kundër ndryshimeve klimatike.