Sport

Man. City del nga kriza, fiton me dy gola në udhëtim! Armando Broja nga minuta e parë, Everton humbet!

Premier League në Angli vijon këtë të diel ndeshjet e javës së 19-të. Manchester City u rikthye te fitorja dhe mposhti 0-2 Leicesterin, ndërsa Armando Broja luajti ndeshjen e parë si titullar me Everton që u mposht 0-2 nga Nottingham. Forest me këtë sukses merr vendin e dytë në renditje dhe është surpriza e bukur këtë sezon. Tri pikë për Crystal Palace, ndërkohë që barazim në ndeshjet e tjera.

Në “King Power Stadium” vendasit e Leicester u mposhtën 0-2 nga Manchester City. Pas pesë ndeshjeve pa sukses dhe me vetëm një fitore në 12 ndeshjet e fundit, “Qytetarët” gjetën tri pikët. Savinho në minutën e 21-të zhbllokoi ndeshjen, ndërsa Haaland “vulosi” tri pikët në pjesën e dytë për të qetësuar Guardiolën në stol. City me 31 pikë merr vendin e pestë, duke lënë Leicesterin në pozitën e 18-të me vetëm 14 pikë.

Everton u mposht në “Goddison Park” 0-2 nga Nottingham Forest. Wood dhe Giibbs-White shënuan për Nottingham, me Forest që marrin vendin e dytë në Premier League dhe janë surpriza e bukur e këtij sezoni.

LEXO EDHE: VIDEO/ Anis Mehmeti tregon klasin në Championship, dopietë me Bristol City

Armando Broja luajti si titullar për herë të parë me Everton, në ndeshjen shtëpiake ndaj Nottingham, takim ky i përfunduar 0-2. Sulmuesi kuqezi ishte mjaft i lëvizshëm, në pjesën e parë, duke lëshuar sinjale pozitive. Në minutën e 12-të, ylli shqiptar provoi me finte, por pa mundur dot të mposhtë portierin.

Në të 44-tën, Broja tentoi me një goditje të fortë, por topi përfundoi jashtë. Trajneri i skuadrës nga Liverpool vendosi që ta largojë nga loja në minutën e 76-të, për t’i lënë vendin Betos.

Për 23-vjeçarin, kjo ishte ndeshja e katërt me fanellë ne Everton, ndërsa në një takim është aktivizuar tek të rinjtë. Ai shpreson që të jetë në formë, në mënyrë që të ndihmojë skuadrën për arritjen e objektivave.

Premier League, raundi 19-të:

15:30 Leicester 0-2 Manchester City

16:00

Crystal Palace 2-1 Southampton

Everton 0-2 Nottingham

Fulham 2-2 Bournemouth

Tottenham 2-2 Wolves

18:15 West Ham – Liverpool

Premier League përcillet LIVE në Digitalb