Rey Manaj është sulmuesi ndaj të cilit janë shkaktuar më shumë faulle deri tani në kampionatin turk, duke kaluar edhe emra si Gedson Fernandes apo Silva i Beshiktashit dhe Fred i Fenerbahçes.
Në një sezon ku konkurrenca në Superligën turke është e ashpër, Manaj ka arritur një rekord të veçantë: Në 25 ndeshje të luajtura, Manaj e sheh veten në krye, me 72 faulla të fituar, që bashkë me 11 golat e tij këtë sezon, e bën atë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Superligës.
Manaj ka zhvilluar një stil loje të veçantë, që e ka bërë të vështirë për mbrojtësit e Superligës të ndalojnë sulmet e tij. Ky stil është ndihmuar nga një energji e madhe dhe aftësinë për të krijuar situata presioni, që shpesh përfundojnë me faulle kundër tij.
LEXO EDHE: “Të dashuruar” pas Rey Manaj, tekniku i njohur turk kërkon sulmuesin kuqezi
Ky rekord i faulleve të fituara ka një rëndësi të madhe, pasi ai kontribuon jo vetëm në stilin e tij të lojës, por edhe në mënyrën si ai ndihmon skuadrën e tij, Sivaspor, për të fituar mundësi të mira për të realizuar gola. Sulmuesit që fitojnë faulle shpesh janë ata që lëvizin vazhdimisht dhe krijojnë mundësi.
Edhe pse nuk ka shumë që ka rinovuar me Sivasporin, Manaj do të jetë një emër i kërkuar në merkaton e verës, pasi disa klube turke kanë kërkuar edhe më herët shërbimet e tij, por mundësitë qëndrojnë edhe për jashtë Turqisë. Gjithçka do të varet edhe nga shifra që do të ofrohet në arkat e klubit turk, që këtë sezon është në luftë për mbijetesë.
Në fundin e muajit maj do të nisë edhe grumbullimi i Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e fillimqershorit, ku përballë do të jetë Serbia dhe Letonia. Manaj është një nga ata sulmues që Silvinjo është mbështetur shpesh dhe një nga kandidatët më seriozë për të udhëhequr sulmin e Shqipërisë.