Rajoni

Maqedoni e Veriut ndalon telefonat në shkolla, as mësuesit nuk do guxojnë t’i përdorin…

Maqedonia e Veriut merr masa në sistemin arsimor për nxënësit dhe mësuesit që përdorin telefonin gjatë orëve të mësimit.

Në të gjitha shkollat e vendit fqinj hyn në fuqi një rregull i ri për ndalimin e përdorimit të telefonave gjatë procesit mësimor. Vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, tashmë zyrtar, e ndalon përdorimin e celularëve jo vetëm nga nxënësit, por edhe nga mësuesit.

Sipas udhëzimit të ministrisë, gjithashtu i afishuar, theksohet se:

“Nxënësit nuk mund ta përdorin telefonin gjatë orëve të mësimit dhe gjatë gjithë qëndrimit në shkollë. Mësuesve u ndalohet përdorimi i telefonit gjatë orës së mësimit, përveç rasteve emergjente ose kur drejtoria e lejon për arsye pedagogjike apo organizative”.

Nëse kapen telefonat në klasë?

“Çdo pajisje e kapur do të dorëzohet në drejtori dhe kthehet vetëm pas përfundimit të orarit mësimor”, vijohet më tej me paralajmërimin.

Por ka dhe raste përjashtimore. Nxënësit do lejohen të komunikojnë me telefon me prindërit e tyre vetëm në rastet emergjente, me lejen e mësuesit kujdestar ose drejtorit. Drejtoria ua mundëson këtë komunikim në çdo rrethanë dhe brenda rregullores.