Martina Serreqi ishte e ftuar në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin në Top Albania Radio, ku ndau me publikun rrugëtimin e saj artistik, nga hapat e parë në muzikë deri tek momentet që e kanë formësuar si artiste. Në një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese, Martina foli për pasionin që e shtyu drejt artit, sfidat me të cilat është përballur dhe mënyrën si ka evoluar stili i saj muzikor ndër vite. Ajo theksoi rëndësinë që kanë për të sinqeriteti dhe ndjeshmëria në krijim, duke e parë muzikën si një formë rrëfimi personal që shkon përtej zërit dhe melodisë.
Në qendër të intervistës ishte edhe kënga e saj më e re me titull “Helm”, një projekt që trajton temën e dashurisë toksike. Martina shpjegoi se kjo këngë ka lindur si nevojë për të shprehur dhimbjen dhe konfuzionin që lë pas një marrëdhënie e dëmshme, duke e përshkruar si një helm emocional që ndikon në vetëbesim dhe identitet. Me një tekst të fortë dhe një interpretim të ndjerë, artistja shpreson që kënga të krijojë lidhje me ata që janë ndjerë të humbur në një dashuri që i ka lënduar, duke i inkurajuar të gjejnë forcën për të dalë prej saj dhe për të rifituar veten. Më shumë rreth “Helm”, ajo tregon:
Ka ardhur shumë natyrshëm nga Jeris Kasa dhe Dylan Reka, të cilët i falënderoj shumë. Unë me këtë këngën kam rënë në dashuri me shikim të parë dhe unë mendoj që kjo kënga flet për dashurinë toksike që është këto ditët e sotme po e shikoj shumë. Mendoj që i përshtatet shumë edhe shoqërisë sonë në ditët e sotme. Është një këngë rinore, është afro beat. E kam sjellë veten në një version ndryshe nga se janë mësuar të tjerët të më shohin. Unë për këtë jam e gëzuar më së shumti që kjo këngë ka qenë ndryshe me çfarë kam qenë e prezantuar në festivale e projektet e mia personale dhe njerëzit do të shohin një Martinë komplet ndryshe, më moderne, më komerciale.
A është kjo një nevojë që e dikton edhe audienca e kësaj kohe?
Është e vërtetë. Kjo ndoshta është ajo që do shumica e popullit të dëgjojnë, por unë, si e thonë shkodranët, e kam sjellë me lezet. Kam sjellë edhe Martinën, por edhe diçka që të tjerëve mund t’ju pëlqejë.
Në lidhje me bashkëpunimin e saj me Jerisin, Martina u shpreh:
Njerëzit fatkeqësisht shkojnë pas trendit, edhe pse Jerisi ka bërë këngë që janë realisht shumë të bukura dhe është një gjetje e re si emër në krijmtarinë e tij që është e mrekullueshme dhe artistike. Unë mendoj që shumica nga ne kur dëgjojnë një emër që përflitet shumë dhe është më i kërkuari nga të tjerët, ose emrat e mëdhenj, aty synojnë të shkojnë, por kjo nuk ja heq vlerat Jerisit si person dhe si krijues se është vërtetë i mrekullueshëm.