Botë e Çuditshme

Eksperiment ekstrem shpëton jetë! Burri që u pickua nga qindra gjarpërinj ndihmon në krijimin e një kundërhelmi revolucionar?

Tim Friede, një entuziast autodidakt i gjarpërinjve nga Kalifornia, ka kaluar 18 vitet e fundit duke injektuar vullnetarisht vetes helmin e disa prej gjarpërinjve më helmues në botë, përfshirë kobrat, mambat dhe gjarpërinjtë me zile.

Qëllimi i tij: ndërtimi i një imuniteti personal ndaj neurotoksinave vdekjeprurëse. Tani, sakrifica e tij e jashtëzakonshme mund të shpëtojë jetë njerëzore.

Sipas CNN, falë gjakut të Friede, shkencëtarët e kompanisë “Centivax” kanë arritur të izolojnë antitrupa që neutralizojnë helmet e 19 llojeve të ndryshme gjarpërinjsh. Këta antitrupa u testuan me sukses te minjtë, të cilët ishin injektuar me helmet përkatëse.

Kundërhelmi përbëhet nga tre elemente kryesore: dy antitrupa dhe një ilaç me molekula të vogla, i quajtur “varespladib”, që synon një enzimë të përbashkët në 95% të pickimeve nga gjarpërinjtë helmues. Testimet treguan rezultate mbresëlënëse: minjtë u mbrojtën 100% nga helmimi i 13 llojeve gjarpërinjsh dhe pjesërisht (20-40%) nga 6 të tjerë.

Megjithëse ende nuk është testuar te njerëzit, kundërhelmi përfaqëson një hap të madh përpara në luftën kundër helmit të gjarpërinjve, veçanërisht atyre të klasës “elapide”, që përfshin kobrat dhe mambat. Aktualisht, nuk përfshin viperidët – si gjarpërinjtë me zile – por studiuesit janë optimistë për zgjerimin e mbulimit të kundërhelmit.

Plani i radhës? Testime në terren në Australi, ku jetojnë vetëm gjarpërinj elapidë, dhe përdorimi i kundërhelmit nga veterinerët për trajtimin e kafshëve të pickuara, si qentë.

Eksperimenti ekstrem i Tim Friede mund të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si trajtohen pickimet nga gjarpërinjtë.