I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë eksperti i sigurisë Faik Basha. Ai ka diskutuar mbi ngjarjen e ndodhur së fundmi, lidhur me krimin e dyfishtë të regjistruar në zonën e Manzës, në Durrës, jashtë një lokali. Si po qarkullojnë kaq shumë armë në vendin tonë sot dhe si i sigurojnë njerëzit ato?
Sa dënohet një person që kapet me armë pa leje në Shqipëri?
Bën 2 javë deri në maksimumi 6 muaj, ai që nuk ka mundësi që të ndiqet me një avokat të mirë mund të shkojë deri në 9 muaj burg. Pra nëse arrestohesh me një armë pa leje në Shqipëri, ti bën nga 2 javë, ka pasur raste që kanë dalë dhe më shpejt se 2 javë. Kjo pastaj ka arritur në korrupsion galopant tek sistemi i drejtësisë, i cili ka pasur problemet e veta tërë kohën. Themi shpesh që është faji i policisë, por jo, nuk është policia e vetmja fajtore në këtë mes. Është prokuroria, është gjykata, është shoqëria, familja, janë një sërë institucionesh. Ligjet duhen patjetër t’i përshtaten sjelljeve të komunitetit dhe shoqërisë, nuk ka ligje të barabarta për gjithë botën apo për gjithë Europën. Pra në varësi të shfaqjes së fenomenit, shtrëngohen dhe ligjet. Nëse ty të shfaqet një fenomen ku pjesa më e madhe e të rinjve nuk kanë një punë, nuk kanë një të ardhme, nuk kanë të siguruar një mënyrë jetese dhe e sigurojnë këtë nëpërmjet veprimeve të paligjshme, kanë në arsenalin e tyre dhe disa armë që i mbajnë pa leje, atëherë çfarë do bësh ti? Do i arrestosh dhe do i nxjerrësh për dy javë? Do i arrestosh dhe do i çosh tek gjykata dhe gjykata thotë 6 muaj burg është mjaftueshëm dhe kryhet rehabilitimi i tyre? Apo do të rishikosh ligjin dhe do ta bësh atë të fortë, do marrësh masa shtrënguese për gjykatat dhe prokurorët që nuk e kryejnë detyrën e saktë? Po flas për shetit që ka një traditë, ka eksperiencë dhe ka institucione që funksionojnë mirë, atëherë ti duhet të bësh ligje. 7 vjet burg dhe pa të drejtë kufizimi. Nëse ty të është kthyer në fenomen, nëse ty të vriten njerëz çdo ditë sepse lehtësisht posedojnë një armë, nuk mundesh ta lësh shoqërinë në këtë lloj forme, por duhet të fillosh patjetër me edukimin e saj nëpër shkolla, me edukimin institucional dhe forcimin e ligjeve, që të garantosh një shoqëri dhe një rini që të ketë mundësi që të arsimohet, të edukohet dhe të shkojë në një rrugë të drejtë ku të ketë fitime të ligjshme dhe të bësh një gjykatë që të japë vendime të drejta, korrekte dhe të mos abuzojë me vendimet e saj, sepse kjo kthehet në pasojë për shoqërinë, si dhe një polici që e ndjek dhe e heton krimin dhe kryen ndërhyrjet parandaluese para se të ndodhë ngjarja. Unë e shoh shumë të arsyeshme dhe shumë me vend, që për shkak të disa fenomeneve që ndodhin në shoqërinë tonë, duhet patjetër që ndyshimi i ligjit të jetë një objekt i arsyetuar dhe i mundshëm në Shqipëri.