Bota Magazine Sociale

Mashtrimi i “Shtatzënisë së fshehtë” në Nigeri: Një hetim i BBC-së mbi klinikën që mashtron gratë e dëshpëruara për të patur fëmijë!

BBC ka trajtuar rastin e një klinike e cila mashtron gra e çifte që kanë vështirësi për të patur një fëmijë. Le të shohim historinë e një çifti, Chioma dhe Ike me fëmijën që supozohet është biologjikisht i tyri, Hope.

Gruaja, Chioma, është e bindur se Hope, djali që ajo mban në krahë, është fëmija i saj biologjik. Pas tetë viteve përpjekjesh të dështuara për të mbetur shtatzënë, ajo e sheh këtë foshnje si përgjigje të lutjeve dhe dëshirës së saj për të pasur një fëmijë.

Unë jam prindi i këtij fëmije

– thotë Chioma, ndërsa është ulur pranë burrit të saj, Ike, në zyrën e një zyrtari të shtetit nigerian. Ata janë pjesë e një hetimi për një çështje që ka të bëjë me mashtrimin në trajtimin e fertilitetit, një çështje që ka tronditur shumë gra në Nigeri.

I pranishëm në këtë ngjarje është komisioneri për çështjet e grave dhe mirëqenien sociale në Anambra, Ify Obinabo, një ekspert që ka trajtuar shumë raste të mosmarrëveshjeve familjare.

Ky rast ka të bëjë me një mashtrim të gjerë që përfshin një klinikë që shfrytëzon dëshpërimin e grave që nuk mund të mbeten shtatzëna.

Përkundër pretendimeve të Chiomës dhe Ike, anëtarët e familjes së tij janë të dyshimtë dhe nuk besojnë se Hope është fëmija i çiftit. Chioma pohon se ka mbajtur fëmijën për 15 muaj dhe se shpesh ka përjetuar presion të jashtëzakonshëm nga familja e burrit për të mbetur shtatzënë. Ata madje kërkuan që Ike të martohej me një grua tjetër.

Në një përpjekje për të realizuar ëndrrën e saj për të pasur një fëmijë, Chioma kërkoi ndihmën e një klinike që ofronte një trajtim jokonvencional për fertilitetin. Ajo, së bashku me shumë gra të tjera, ka rënë pre e mashtrimit që përfshin trafikimin e foshnjave.

Ky proces, që pretendohet të ofrojë “shtatzëni të fshehtë”, është një operacion i sofistikuar mashtrimi që ka shpërthyer në Nigeri dhe vende të tjera të Afrikës.

BBC ka hulumtuar këtë mashtrim dhe ka zbuluar se klinikat e këtilla manipulojnë gratë, duke i bindur ato se kanë një trajtim special që mund t’i bëjë të mbeten shtatzëna.

Trajtimi fillestar, që përfshin injeksione ose substanca të futura në vaginë, kushton disa qindra dollarë dhe e bën gruan të ndiejë sikur është shtatzënë, duke shkaktuar fryrje të barkut dhe simptoma të tjera që i ngjajnë shtatzënisë.

Pas kësaj, gratë paralajmërohen të mos kërkojnë një opinion tjetër mjekësor, pasi nuk do të mund të verifikonin shtatzëninë me metoda standarde.


Kur vjen koha për lindje, gratë këshillohen të paguajnë për një ilaç të shtrenjtë që pretendohet të nxjerrë foshnjën jashtë mitrës. Ndërkohë, ata që nuk mund të paguajnë për këtë ilaç, njoftohen se shtatzënia mund të zgjasë përtej periudhës normale. Një nga ato që ka kaluar këtë trajtim, Chioma, tregon se kur ka ardhur koha për lindje, një mjek i ka dhënë ilaçin dhe ajo ka përjetuar dhimbje, përpara se të merrte foshnjën në duar.

BBC ka depërtuar në një nga këto klinika sekrete, duke përdorur një gazetare të fshehur që pretendonte se ishte një çift që po përpiqej për një shtatzëni pas disa viteve përpjekjesh. Ata janë lidhur me një grua që quhet “Dr Ruth”, e cila operon një klinikë të fshehtë çdo të shtunë në qytetin e Ihiala, në shtetin juglindor Anambra të Nigerisë.

Dr Ruth premton që mund të ndihmojë çiftet të zgjedhin gjininë e foshnjës së tyre dhe i jep një injeksion që ajo pretendon se do t’i ndihmojë ato të mbeten shtatzëna.

Pas këtij trajtimi, ata marrin një sërë udhëzimesh dhe pilulash, dhe mund të shpresojnë se pas disa javësh do të konfirmohet shtatzënia.

Këto shërbime mashtruese shtrihen përtej kufijve të Nigerisë, me grupime në Facebook dhe forume të tjera, ku gratë nga vende të ndryshme, duke përfshirë Afrikën e Jugut dhe SHBA, diskutojnë mundësitë për të gjetur trajtime të ngjashme. Ky fenomen ka të bëjë me një mungesë të madhe informacioni për të drejtat riprodhuese dhe infertilitetin, që lejon këto mashtrime të vazhdojnë të lulëzojnë.

Ekspertët paralajmërojnë se, pa ndërhyrje dhe edukim të duhur, mashtrimi i “shtatzënisë së fshehtë” do të vazhdojë të përhapet dhe të dëmtojë më shumë gra që janë dëshpërimisht të angazhuara në kërkimin e një shtatzënie të mundshme.