Një pije e gjelbër, me pamje estetike dhe përfitime të shumta për shëndetin – kjo është matcha, çaji tradicional japonez që ka fituar popullaritet të jashtëzakonshëm në mbarë botën.
I përdorur prej shekujsh në ritualet zen të Japonisë, sot matcha është kthyer në simbol të stilit të jetesës së shëndetshme dhe modern, veçanërisht në rrjetet sociale si Instagram dhe TikTok.
Matcha është një formë e përqendruar e çajit jeshil, në formë pluhuri, që përmban antioksidantë të fuqishëm, si EGCG, të cilët ndihmojnë në detoksifikimin e trupit.
Krahas kësaj, ofron një dozë të moderuar të kafeinës, pa efektet anësore që shkakton shpesh kafeja, dhe është i pasur me L-theanine – një aminoacid që përmirëson fokusin dhe qetësinë mendore.
Ngjyra e tij jeshile e ndezur është bërë pjesë e estetikës së “clean girl”, një trend që promovon minimalizmin, vetëkujdesin dhe një stil jetese të ekuilibruar.
Fotot me matcha latte në gota elegante janë bërë tashmë të zakonshme në postimet me temë wellness.
Matcha nuk përdoret më vetëm si çaj tradicional, por është bërë pjesë e shumë recetave moderne: latte të ngrohta ose të ftohta, smoothie me fruta, pancakes, akullore, madje edhe maska natyrale për fytyrën.
Ndonëse fillimisht u pa si një trend i rrjeteve sociale, për shumë njerëz matcha është tashmë pjesë e pandashme e përditshmërisë, duke reflektuar një stil jetese më të ngadaltë, të vetëdijshëm dhe të përqendruar në mirëqenie.