Aktualitet

Matësa inteligjentë energjie, Rama: 350 mijë të parët, vitin e ardhshëm!

Ndërsa paraqiti projektin e “OSHEE Charge” për makinat elektrike, kryeministri Edi Rama foli dhe për sektorin e energjisë, që siç vuri në dukje, ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

Shefi i qeverisë shpjegon se duke filluar nga viti i ardhshëm do të nisë vendosja e matësave inteligjentë të energjisë që do të përmirësojë shërbimin dhe do të ulë humbjet në rrjet.

OSHEE-ja do ta shtrijë kapacitetin edhe në karikimin e mjeteve elektrike. Ky është një lajm i mirë që vjen në një moment pozitiv për sektorin e energjisë që është kthyer në një sektor ku inovacioni ka zënë hapësirën e vet.

Vitin e ardhshëm do të kemi fillimin e punës transformuese për matësat e energjisë duke kaluar tek ata inteligjentë.  Vitin e ardhshëm 350 mijë të parët. Brenda mandatit do të përmbushim këtë projekt duke ulur humbjet në rrjet, por do të rritet cilësisht dhe faturimet e çdo konsumatori, duke riparuar të metat, tha Rama.

Ndërkaq, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vlerësoi sektorin energjetik shqiptar si një nga historitë më të suksesshme të zhvillimit ekonomik të vendit, duke theksuar se ky sektor mbetet një premtim i fortë për të ardhmen.

Sektori energjetik shqiptar është një histori suksesi, por edhe një premtim për të ardhmen. Nga investimet e huaja te inovacioni, ne po ndërtojmë një sistem energjetik që i shërben ekonomisë, qytetarëve dhe mjedisit.

Numri 2 i qeverisë shtoi se puna e deritanishme në këtë drejtim ka sjellë rezultate konkrete, ndërsa theksoi se qeveria mbetet e motivuar për të vijuar me tranzicionin e gjelbër, si dhe me rritjen e qëndrueshme të sektorit.