Mbi 27 mijë maturantë, sot testojnë njohuritë e marra në Matematikë. Ky është provimi i tretë i Maturës Shtetërore, pas atij të Gjuhës së Huaj e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, që nis në orën 10:00 për të vijuar për 2 orë e 30 minuta. Nxënësve iu duhet të paraqiten në ambientet e shkollave përkatëse në orën 08:00 dhe të kenë me vete një mjet identifikimi, kartë ID ose pasaportë. Ndërkaq iu ndalohet kategorikisht mbajtja e telefonit apo orëve smart.
Pas provimit të Matematikës, maturantët i kanë sytë nga data 24 qershor për provimin e fundit, atë me Zgjedhje, i cili ofron një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.
Lidhur me orientimin dhe përgatitjen e të rinjve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve, në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës Shtetërore.
Procesi i hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve do të realizohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), duke siguruar standardet më të larta të transparencës e korrektësisë, thuhet në njoftimin zyrtar.