Kanë shpëtuar të gjithë pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit në avionin e përplasur dhe më pas të përmbysur gjatë uljes në Aeroportin Pearson të Torontos në Kanada. Kjo u bë e ditur nga shefja ekzekutive e aeroportit, Deborah Flint.
Jemi të lumtur që nuk ka pasur humbje jete, por vetëm plagë relativisht të lehta.
Një fëmijë dhe dy të rritur mbetën të plagosur disi më rëndë gjatë përplasjes, referuar burimeve të shërbimeve të emergjencës, ndërsa 18 persona u dërguan në spital. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan si avioni u rrokullis pasi po tentonte të ulej në terren me borë dhe erë intensive. Për pasojë, avionit iu shkëput të paktën njëri prej krahëve.
Aeroporti Pearson njoftoi se mjeti fluturues i përket kompanisë amerikane Delta dhe u nis nga Mineapolisi. Në të gjendeshin 80 persona, 76 pasagjerë dhe katër anëtarë te ekuipazhit. Fillimisht, aeroporti u mbyll, por tani fluturimet janë rikthyer, siç njoftuan autoritetet.
Bordi për Sigurinë e Transportit të Kanadasë bëri të ditur se ka angazhuar një ekip për të kuptuar se çfarë ndodhi me saktësi. Dy pista do të qëndrojnë të mbyllura disa ditë për shkak të hetime dhe pasagjerëve u është thënë se mund të përballen me vonesa.
Ngjarja në Kanada ndodh pak kohë pas disa episodeve të ngjashme në Amerikën e Veriut, në fund të muajit të kaluar. Një helikopter ushtarak u përplas me një avion pasagjerësh në Uashington, duke vrarë 67 persona, ndërsa të paktën shtatë të tjerë gjetën vdekjen pas rrëzimit të një avioni transportues në Filadelfia.