Ndërsa sot në orën 17:00 nis Sesioni i 5-të i Legjislaturës së 8-të të Kuvendit të Shqipërisë, në Kryesinë e Kuvendit u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku u vendos që seancat plenare nga dy të zgjaten në 4 orë. Sa i përket komisioneve parlamentare që për shkak të koronavirusit janë mbledhur online, vendimi për të vazhduar në këtë mënyrë apo në mjediset e Kryesisë së Kuvendit iu takon kryetarëve të tyre. Mes prioriteteve kryesore të kësaj Legjislature është amendimi i nevojshëm i Kodit Zgjedhor pas ndryshimeve kushtetuese. Rëndësi për Kuvendin ka dhe projektligji që po hartohet nga qeveria sa i përket mediave online. Një tjetër draft është ai “Për amnistinë fiskale” që supozohej të miratohej në seancën e fundit.