Aktualitet Politikë

Mbyllet me tensione seanca plenare, nuk u arrit te diskutimi për rendin e ditës!

Kryetari i grupit socialist, Taulant Balla komentoi për mediat përfundimin e një seance të tensionuar plenare, ku diskutimi për rendin e ditës nuk u arrit të niste për më shumë se dy orë. Balla akuzoi opozitën, veçanërisht ish-kryeministrin Sali Berisha, për bllokimin e qëllimshëm të punimeve parlamentare.

Dy orë dhe nuk është e mundur që të fillojë diskutimi për rendin e ditës. Kur merr fjalën një nga Këshilli i Ministrave, ke disa mercenarë që turren për të mos lënë ministrat të flasin. Fyejnë me një fjalor rrugaçi çdo koleg.

Sipas tij, kjo është një strategji e mirëorganizuar nga Berisha për të penguar punën e Kuvendit.

Kjo nuk është diçka e re. Eshtë mënyra e vetme që njeh Berisha për të krijuar kaos. Nuk lejon të flasin as deputetët e tij, ndërsa vetë kërkon fjalën 7 herë për procedurë.

Në lidhje me akuzat e opozitës për një takim të dyshuar në Aruba me kartelet e drogës, Balla mohoi çdo përfshirje të përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe rikujtoi:

Për transparencë: Artur Shehu është njeriu që transportoi me makinë Berishën për të hyrë në Vlorë. Unë dhe asnjë nga PS-ja nuk ka udhëtuar ndonjëherë me të. Zallamahia që krijon PD-ja është vetëm për të hequr vëmendjen nga sjellja e saj në sallë.

Taulant Balla vuri në dukje:

Nëse deputetët nuk lënë të flitet, këtë përgjigje do të marrin. Nuk do të lejojmë përsëritjen e historisë së vjetër të bllokimit nga një person që nuk i intereson fare funksionimi i institucioneve. Për mua, Saliu është zero.