Aktualitet Politikë

“Keqkuptim” për Enver Hoxhën në Kuvend, Berisha: Si të fusësh Hitlerin në Bundestag!

Në nisje të seancës së sotme plenare pati tensione ndërsa kryedemokrati Sali Berisha kritikoi maxhorancën lidhur me dokumentin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë që mes figurave kombëtare nderoi edhe diktatorin Enver Hoxha. Fillimisht, kryeparlamentari Niko Peleshi sqaroi çështjen e vuri në dukje se ka lindur një keqkuptim.

Dua të shpreh ndjesë dhe keqardhje për keqkuptimin e krijuar. Teksti ishte informativ, jo të mbrojë apo vlerësojë dikë. Teksti është nxjerrë pa interpretim, Enver Hoxha është përmendur vetëm me ditëlindje. I kërkova Institutit Parlamentar një rishikim të plotë, që të shmanget çdo keqinterpretim, tha Peleshi.

Kjo deklaratë e Peleshit, pasoi reagimin e Sali Berishës:

Reagimi i parafolësit përbën një absurditet dhe më shumë se kaq. Zoti Shehu, këtu përshëndeti hapin e parë të marrëveshjes prej 21 pikash të planit të paqes të presidentit Trump dhe e kanë përshëndetur, sa për dijeni, edhe personalitete botërore. Është hapi i parë dhe meriton përshëndetjen më të plotë.

Izraeli tërhiqet në një linjë të caktuar, lirohen 20 pengjet e gjalla nga Hamasi. Çfarë ka këtu? Çfarë u shkel këtu? Kush e pengoi kryetarin e parlamentit të hapë parlamentin me një përshëndetje të tillë? Kush e pengoi kryetarin e partisë së krimit të kërkojë fjalën? Çfarë është kjo? Kjo është për t’u përshëndetur. Janë 20 pengje që lirohen. Po e përshëndesin të tjerët.

Ti e hape parlamentin me një apologji hipokrite. Enver Hoxhën e fute ti, me urdhër të Edi Ramës në axhendë. Kryexhelatin e shqiptarëve, Hitlerin e shqiptarëve e futët ju. Nuk është gabim.

Ka një ligj ky parlament të vitit 1992, që ndalon dhe dënon propagandën komuniste për Enver Hoxhën. Ka rezolutë parlamenti. Nuk është punë biblioteke kjo.

Rezolutat e parlamentit janë të detyruara. Imagjinoni ju se çfarë do ndodhte po të futej Hitleri në Bundestag?! Ju do thoni nuk ishte Enver Hoxha në përmasat e Hitlerit. Unë u them ju këtu se në prill të vitit 1991, samiti i EDU-së e ka vlerësuar në deklaratën e tij Enver Hoxhën si Hitleri i pasluftës.