Aktualitet Rajoni

Mbyllet votimi, Haradinaj: Opozita fitoi zgjedhjet, mund të bëhet shumicë solide për qeveri!

Opozita i fitoi zgjedhjet, tha kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, në një konferencë për mediat pas mbylljes së qendrave të votimit.

Haradinaj, tha se kanë informacione se rezultati i AAK-së është dy-shifror, rrjedhimisht mbi 10%.

“Opozita i ka fituar zgjedhjet edhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë së opozitës”, tha Haradinaj.

“Na vjen mirë që mundi ynë ka rezultuar me fitoren e opozitës. Opozita krijon shumicë solde dhe i jep Kosovës qeveri të qëndrueshme. Besoj se kjo do të ndodh”, tha ai.

Në Kosovë sot u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në një proces që shkoi mjaft i qetë e me parregullsi të papërfillshme. Menjëherë nisi numërimi i votave, shumica e të cilave, sipas Exit-poll-eve të para, kanë shkuar për partinë e Albin Kurtit.

Rezultatet e Exit- Polleve nxjerrin Vetëvendosjen e Albin Kurtit nga 37% deri në 40.3% ndërsa PDK forcë e dytë, nga 22% deri në 23%. LDK parti e tretë me rreth 20% ndërsa AAK-Nisma deri në 8%

Ndërkohë rezultatet zyrtare do të konfirmohen nga KQZ.