Një 27 vjeçar i dënuar më parë për vrasje dhe vrasje të mbetur në tentativë u arrestua në Pogradec. Gjatë kontrollit në makinë, iu gjetën një pako kokainë, si edhe dy pistoleta, një silenciator, tre krehra, një shkop metalik, pesë aparate celularë, dy karta banke, një pasaportë biometrike e një shumë parash (lekë, euro e dollarë australianë), të gjitha në një çantë krahu. Operacioni policor që çoi në kapjen e tij u kodua “Cold Hand”. Po ashtu iu sekuestrua automjeti.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe i punës së pandërprerë, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, për një shtetas që posedonte armë zjarri dhe shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Pogradecit, shtetas me precedent kriminal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, Seksionit të Krimeve të Rënda dhe Shqiponjat, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cold Hand”.
Gjatë operacionit, shërbimet Operacionale të DVP Korçë kapën dhe vunë në pranga shtetasin F. M., 27 vjeç, banues në Pogradec, me rrezikshmëri shoqërore.
Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës në lagjen nr. 1, Pogradec, shtetasit F.M. iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, 2 armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë).
Gjithashtu u sekuestrua dhe automjeti i tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, thuhet në njoftimin për medie të policisë.