Homazhe në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili u qëllua për vdekje një ditë më parë në në Lozhan të Maliqit gjatë aksionit për arrestimin e të kërkuarit Violand Braçellari.
Homazhet u mbajtën në Pogradec, në vendlindjen e 34 vjeçarit. Mekolli u shpall “Dëshmor i Atdheut”, i rënë në krye të detyrës.
Enea Mekolli mbeti i vrarë gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, Maliq, për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Gjatë rrethimit të stanit ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari, policia i bëri thirrje të dorëzohej, por ai hapi zjarr ndaj efektivëve, duke vrarë Mekollin dhe plagosur një tjetër punonjës policie, 36-vjeçarin E.A.
Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën sulmit, duke plagosur Braçellarin, i cili më pas u arrestua. I kërkuari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 11 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.