Iu gjet lëndë narkotike dhe një shumë parash, policia e Tiranës, arrestoi një 23-vjeçar. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin R.L., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën një sasi cannabisi dhe një shumë parash.
Lënda narkotike dhe shuma e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në të tjera zhvillime po në Tiranë, uniformat blu njoftojnë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjëndje të lirë për shtetasen Xh.M., 24 vjeçe, pasi dyshohet se ka shqetësuar nëpërmjet rrjeteve sociale një 20-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: K.J., 21 vjeç dhe E.A., 21 vjeç.
Më herët gjatë ditës u raportua se një 30-vjeçar u arrestua nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim për prodhim armësh dhe kanosje. Sipas bluve, ai rezulton me precedentë të mëparshëm për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” e “Prishja e qetësisë publike” të kryera në bashkëpunim.
Njoftimi policor zyrtar:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e marra nga inteligjenca policore dhe pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe ndaluan në kuadër të operacionit policor “Over” personin e shpallur në kërkim kombëtar: A. C., 30 vjeç, banues në Vorë.
Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” e “Prishja e qetësisë publike” të kryera në bashkëpunim. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin L.L., në tetor të 2023, në Domje, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së dy shtetasve(vëllezër).
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.