Bota

Me çokollata e reçel, presidenti i Ekuadorit, Noboa: Tentuan të më helmonin!

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa tha se ishte viktimë e një tentative helmimi që përfshinte çokollata dhe reçel, që i mori në një aktivitet publik.

Embëlsirat përmbanin tre kimikate në doza të larta dhe kjo nuk mund të jetë e paqëllimshme, tha Noboa në një intervistë me CNN. Ne paraqitëm një ankesë, paraqitëm prova për përqendrimin e tre kimikateve.

Dhe nuk mbetet me kaq. Më herët këtë muaj, ishte sërish presidenti ekuadorian, Daniel Noboa, i cili shpëtoi pa lëndime nga një sulm i armatosur në autokolonën e tij. Lajmin e dha ministrja e Mjedisit, Ines Manzano, pasi autokolona u sulmua nga qindra njerëz që protestonin kundër rritjes së çmimit të naftës.

Rreth 500 njerëz u shfaqën dhe hodhën gurë drejt tij e madje ka edhe shenja plumbash në makinën e presidentit, u shpreh Manzano. Falë Zotit, presidenti ynë, shumë i vendosur dhe i guximshëm, vazhdon të ecë përpara, duke zbatuar axhendën e tij si zakonisht, deklaroi anëtarja e kabinetit qeveritar në vendin e Amerikës Latine.