Rajoni

Me dorezë metalike e simbole të flamurit shqiptar, dy të arrestuar në Serbi!

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se mbrëmjen e djeshme, në Parkun e Pionierëve në kryeqytetin Beograd u identifikuan dhe ndaluan dy shtetas të Bosnjë-Hercegovinës, të cilëve iu jepen inicialet M.S. 30 vjeç e S.R. 22, pa vendbanim të regjistruar në territorin e Serbisë.

Sipas njoftimit, M.S-së iu gjetën një dorezë metalike e një kapak telefoni me simbolet e flamurit shqiptar.

Ndaj tyre do të ngrihet padi për shkelje, sipas Ligjit për të Huajt. M.S. përballet edhe me një padi për kundërvajtje bazuar në ligjin serb për Armët dhe Municionet.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk saktësoi nëse personat e ndaluar kishin pasur ndonjë kontakt me ata të mbledhur në Parkun e Pionierëve në Beograd.

Në këtë park që gjendet para Parlamentit të Serbisë, grupe njerëzish kanë bllokuar një nga rrugët më të ngarkuara, për më shumë se katër muaj.

Kjo është bërë nga mbështetës të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, për t’iu kundërvënë protestave antiqeveritare që vazhdojnë në Serbi që nga nëntori i vitit të kaluar.