Nick Jonas ka reaguar publikisht pasi një video e tij, ku shihej duke u larguar përkohësisht nga ceremonia e Golden Globe 2026, u bë virale në rrjetet sociale.
Në pamjet e shpërndara nga Parade, këngëtari shfaqet jashtë sallës së ceremonisë mbrëmjen e së dielës, më 11 janar, duke pirë ujë dhe duke vështruar përreth, çka nxiti spekulime të shumta nga fansat.
Pas reagimeve në rrjet, Jonas iu përgjigj drejtpërdrejt një postimi në platformën X, ku thuhej se ai ishte mposhtur nga ankthi social. Artisti e konfirmoi këtë, duke shkruar:
Po… më goditi si një grusht në stomak
-një referencë e drejtpërdrejtë edhe ndaj këngës së tij më të re, “Gut Punch”.
Në këtë projekt muzikor, Nick Jonas flet hapur për betejat e brendshme, dialogun me veten dhe autokritikën, duke kënduar:
Më goditi si një grusht në stomak, lëndova ndjenjat e mia… Si u bëra kaq i mirë në të qenit i ashpër me veten?
Këngëtari nuk është i panjohur për publikun me temat e shëndetit mendor. Ai ka folur shpesh për ndikimin emocional të jetesës me diabet të tipit 1, një sëmundje me të cilën jeton prej vitesh.
Në një intervistë për PEOPLE në vitin 2021, Jonas theksoi rëndësinë e aspektit psikologjik të sëmundjes, duke thënë se “ana mendore dhe emocionale është jashtëzakonisht e rëndësishme”.
Flas rregullisht me terapistin tim dhe kam fatin të kem një sistem shumë të mirë mbështetës, si dhe mjekë të shkëlqyer
-u shpreh ai atëherë.
Reagimi i tij i fundit është vlerësuar nga fansat si një tjetër hap i sinqertë drejt normalizimit të bisedave mbi ankthin dhe shëndetin mendor, sidomos në një industri ku presioni publik është i vazhdueshëm.