Ceremonia e Golden Globes e këtij viti prodhoi plot momente të paharrueshme: duartrokitjet emocionuese për Julia Roberts, puthjet e shumëpërfolura mes Timothée Chalamet dhe Kylie Jenner, si edhe deklaratat e forta të Mark Ruffalo për politikat e Donald Trump dhe Venezuelën.
Megjithatë, një moment i vetëm arriti të rrëmbejë vëmendjen e të gjithëve dhe të pushtojë rrjetet sociale.
Bëhet fjalë për videon virale ku Leonardo DiCaprio shihet duke folur me gjeste dhe shenja, në një bisedë tepër të animuar që ngjalli menjëherë kureshtje dhe teori të panumërta.
Klipi, i cili është shpërndarë kudo, tregon aktorin duke diskutuar me pasion për filmin K-pop, Demon Hunters, duke lënë publikun të pyesë: me kë po fliste në të vërtetë dhe a ishte ai vërtet i njohur me botën e K-pop-it?
Fillimisht, shumë menduan se DiCaprio po i drejtohej Teyana Taylor, diçka që aktorja e konfirmoi pjesërisht në tapetin e kuq të premierës së filmit The Rip në New York. Por misteri nuk mbaroi aty.
Të mërkurën, më 14 janar, Teyana Taylor vendosi t’i japë fund spekulimeve gjatë paraqitjes së saj në The Tonight Show Starring Jimmy Fallon.
Me humor, ajo shpjegoi se DiCaprio po fliste për filmin atë mbrëmje, por jo vetëm me të.
Për një moment mendova se kisha zbuluar Kodin Da Vinci
-tha ajo duke qeshur.
Fillimisht mendova se po më fliste mua, por më pas kuptova se ai po bënte dy biseda të ndryshme për të njëjtën temë.
Taylor zbuloi gjithashtu se kishte kontaktuar vetë DiCaprio-n për ta sqaruar situatën.
E telefonova dhe i thashë: ‘Nuk mund të më flisje mua, sepse unë e dija saktësisht çfarë ishte K-pop-i’
-tregoi ajo, duke shtuar se aktori madje “as nuk mbante mend saktësisht me kë po fliste”.
Dy aktorët kanë bashkëpunuar së fundmi në filmin e shumëvlerësuar të Paul Thomas Anderson, One Battle After Another, i cili po cilësohet si një nga filmat më të rëndësishëm të vitit.
Teyana Taylor u ngjit edhe në skenën e Golden Globes për të marrë çmimin për Aktoren më të Mirë Mbështetëse, duke shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e madhe që ka marrë.
Në një intervistë të fundit për Vanity Fair, ajo foli për transformimin e shpejtë të karrierës së saj, nga muzika dhe videoklipet ikonike, deri te puna krah emrave të mëdhenj si Leonardo DiCaprio, Sean Penn, Matt Damon dhe Ben Affleck.
Ndjehem sikur po kaloj nga një masterklas në tjetrën
-u shpreh aktorja.