Elvis Shkëmbi, autori 30-vjeçar i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në mjediset e Gjykatës së Apelit Tiranë dëshmoi në polici se armën e mbante gjithmonë me vete dhe se e qëlloi gjyqtarin për shkak të mllefit pas vendimit të gjykatësit.
Dëgjova vendimin e gjykatësit, armën e kisha me vete. E mbaja gjithmonë me vete dhe ashtu e mendova për momentin u ngrita u qëllova, më kapi një si mllef, vuri në dukje autori në dëshminë e dytë të tij.
Ndërkohë, raportohet se xhaxhai i tij, Gjon Shkambi deri në këto momente nuk ka dhënë asnjë deklarim për grupin hetimor. Por, tronditëse janë fjalët e xhaxhait tjetër të autorit, Gjovalin Shkambi:
Kush dënon nipin tim, nuk del i gjallë nga salla. Ka 13 vite që i shkojmë kryeministrit. Na e jepni pronën që e kemi ble. Dhe me mua ka të njëjtin shpërblim, provat i dhamë. Ja kemi ble shtetit, ose me na çu në burg.
Pasi vrau gjyqtarin Astrit Kalaja, 30 vjeçari plagosi baba e bir, nga pala kundërshtare në procesin e pronësisë për një godinë në Shkodër. Ekzekutimi i gjyqtarit Kalaja ka shokuar mbarë opinionin publik.
Pas krimit, autori shkoi te roja e sigurisë, i dorëzoi armën e krimit dhe i qetë, priti Policinë e Shtetit, duke treguar se ai është autori.
Fatmirësisht, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjon Shkambi u vu në pranga si person që ishte në dijeni të veprimeve të nipit. Ngjarja e rëndë ka ngritur dyshime të mëdha për mënyrën si u arrit të futej një armë zjarri brenda një gjykate. Detektori sinjalizoi praninë e objektit metalik, por roja nuk u vu në lëvizje. Ky i fundit u arrestua nga uniformat blu.
Konflikti mes familjes Shkambi dhe 31 familjeve banore të një godine në Shkodër vijon prej mbi 30 viteve. Duke u mbështetur në një akt të kthimit e kompensimit të pronave të vitit 1993, familja Shkambi pretendon se është pronare e tokës dhe e godinës, që sipas saj, u tjetërsua gjatë regjimit komunist.