Një 25 vjeçar nga Shkodra, i cilësuar person me rrezikshmëri të lartë shoqërore u arrestua nga policia në kryeqytet. Blutë e Tiranës bëjnë me dije se në bashkëpunim me vëllanë e tij, i riu posedonte 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë, që dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale.
Gjithashtu është arrestuar një 28-vjeçar, i cili e ndihmonte të riun për t’u fshehur, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan edhe një automjet e tre celularë.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Together”.
Gjatë operacionit u kapën në Selitë dhe u vunë në pranga shtetasit: J. Sh., 25 vjeç, banues në Shkodër, për të cilin Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Brothers”, i zhvilluar në muajin janar 2024, pasi dyshohet se posedonte në bashkëpunim me vëllanë e tij (i arrestuar), 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë, që dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale; G.H., 28 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se përkrahte shtetasin J. Sh., duke e ndihmuar të fshihej.