E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë psikologia Loreta Caka. Ajo ka folur më shumë për ankthin apo shqetësimet që shumë persona ndiejnë gjatë festave të fundvitit apo edhe pas tyre në muajin janar…
Si ndikon dhjetori muaji i festave në aspektin psikologjik tek ne?
Muaji dhjetor është një muaj ku ne mbyllim një kapitull prej 12 muajsh të jetës sonë dhe bëhemi gati për të rinisur një kapitull të ri, pra që nis me janarin. Kjo gjë, përpos pjesës së festave, zbukurimeve dhe përgatitjes që ne bëjmë për festa, është dhe reflektimi që ne bëjmë me veten. Ne vendosim disa pika që duhet të arrijmë këto 12 muaj dhe në përfundim të këtij 12-mujori bëjmë një reflektim me veten se çfarë kemi arritur dhe kjo gjë shpesh na shkakton stres ose ankth kur shikojmë se disa gjëra nuk i kemi arritur. Kjo është normale, sepse në 12 muaj jo çdo gjë mund të arrihet, se çfarë na mbeti pastaj për 12 muajt e ardhshëm. Jeta është goxha e gjatë. Por që kjo gjë sjell dhe stres. Gjithashtu edhe lodhja e përditshme që mund të kemi. Dekoret e festave, atmosfera që sjellin festat në tru çlirojnë dopaminën dhe ne kemi një hormon lumturie më të lartë gjatë përgatitjes. Por për njerëzit që janë të stresuar dhe të lodhur goxha nga puna, kjo gjë shpesh sjell një mbistimulim dhe ne ndihemi paksa të lodhur. Nuk e kemi atë dëshirën e plotë. Kjo është në varësi të kategorisë së njerëzve. Pjesa më e madhe festojnë dhe kënaqen.
Pse disa njerëz i përjetojnë festat me energji pozitive dhe disa të tjerë përkeqësohen emocionalisht?
Shkaqet mund të jenë të ndryshme, siç mund të jetë lodhja e përditshme, mosarritja e disa pikave që mund të kenë vendosur , problemet ekonomike, mund të jenë dhe disa raste që njerëzit mund të kenë probleme familjare. Ka disa faktorë që i bëjnë njerëzit t’i përjetojnë festat nga ana emocionale negativisht. Ndërsa pjesa tjetër që kanë arritur disa pika që kanë vendosur janë pak më të lumtur, i presin me shumë dëshirë.