Leigh-Anne Pinnock ka bërë një rrëfim të ndjerë për periudhën më të vështirë të martesës së saj, duke zbuluar se bashkëshorti i saj, futbollisti Andre Gray, e la “zemërthyer” për shkak të humbjes së besimit dhe ndjenjës së tradhtisë në lidhjen e tyre.
Këngëtarja 34-vjeçare, e cila u martua me Andre Gray në qershor të vitit 2023 pas ardhjes në jetë të binjakëve të tyre në vitin 2021, pranoi se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë gjithmonë e qetë.
Në një bisedë të hapur në podcast-in Mad Sad Bad të Paloma Faith, ajo tregoi se kanë kaluar një periudhë të errët që rrezikoi seriozisht lidhjen.
Kalova një kohë shumë të çuditshme me burrin tim. Mungesa e sinqeritetit, humbja e besimit dhe ajo ndjesi tradhtie… zemërthyerja është e tmerrshme, sidomos kur dashuron dikë marrëzisht dhe ai arrin të të lëndojë
-u shpreh Leigh-Anne.
Ajo tregoi se ndryshimi erdhi vetëm kur Andre kuptoi se sjellja e tij ishte egoiste, veçanërisht pasi u transferua në Greqi për të luajtur me Aris Thessaloniki.
Distanca dhe koha me veten e ndihmuan të reflektojë, ndërsa vendimi për të shkuar në terapi u bë një pikë kthese për çiftin.
Nëse dikush nuk do të ndryshojë për ty, atëherë harroje. Ai donte vërtet të ndryshonte dhe e bëri. Shkoi në terapi dhe kuptoi se ajo që po bënte nuk është mënyra se si funksionon një marrëdhënie
-tha këngëtarja.
Leigh-Anne zbuloi se ka mësuar fuqinë e faljes dhe pranoi se ende është me personin që i theu zemrën.

Sipas saj, falja nuk është dobësi, por mund të jetë shëruese kur tjetri tregon përpjekje reale për të ndryshuar.
Disa mund të thonë pse i jep një shans tjetër, por vetëm ti e di çfarë është e drejtë për ty. Sot jemi në një vend shumë të bukur dhe ia vlejti lufta
-shtoi ajo.
Këngëtarja theksoi se është e rëndësishme të vendosen kufij dhe të dihet kur mjaft është mjaft, por gjithashtu se falja mund të jetë një akt force, jo dobësie.
Rrëfimi i saj i sinqertë ka prekur fansat, duke hedhur dritë mbi sfidat reale të marrëdhënieve, edhe kur bëhet fjalë për çifte të famshme që nga jashtë duken “perfekte”.