Celebrities Gossip Showbiz

“Më thith shpirtin!”/ Sean Penn befason me deklaratën e fortë ndaj Oscars?

Aktori i njohur hollivudian Sean Penn ka habitur fansat me disa deklarata të sinqerta mbi jetën e tij personale, duke shpjeguar pse prej vitesh ka vendosur të mos marrë më pjesë në ceremonitë e ndarjes së çmimeve dhe pse refuzon kategorikisht të bëjë selfie me njerëzit.

Gjatë një bisede me gazetaren Kaitlan Collins në kuadër të Tribeca Film Festival, aktori tha se eventet e mëdha publike i shkaktojnë ankth dhe e bëjnë të ndihet jashtëzakonisht në siklet.

Sipas Penn, problemi nuk lidhet me vetë çmimet, por me atmosferën që krijohet në këto aktivitete dhe presionin social që ato sjellin.

Nuk është vetëm puna e ndarjes së çmimeve

-u shpreh ai, duke theksuar se vendimi i tij është i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien mendore.

Aktori zbuloi se ka marrë një vendim që e konsideron të përhershëm: të shmangë çdo grumbullim të madh njerëzish.

Kam vendosur që të mos shkoj më askund ku do të jem në një grup më të madh se tetë persona

-deklaroi ai, duke pranuar se turmat e mëdha i shkaktojnë tension dhe parehati.

Penn shtoi se një tjetër arsye pse nuk i pëlqejnë këto evente është fakti se ndihet i detyruar t’u kushtojë shumë pak kohë njerëzve që takon, gjë që i shton stresin.

Sipas tij, në ceremoni të tilla nuk krijohen biseda të vërteta, ndërsa prania e politikës dhe interesave të ndryshme e bën situatën edhe më të vështirë.

Fituesi i dy çmimeve Oscar kujtoi edhe momentet kur u ngjit në skenë për të marrë trofetë për filmat Mystic River dhe Milk. Ai tha se emocioni më i madh që përjetoi në ato raste nuk ishte gëzimi i fitores, por lehtësimi që gjithçka kishte përfunduar.

Por deklarata që ka bërë më shumë bujë lidhet me kulturën e selfie-ve. Aktori u shpreh hapur kundër fenomenit, duke thënë se nuk i pëlqen të fotografohet me të panjohur.

Njerëzit nuk duhet të bëjnë selfie me të tjerët. Është keq për ty dhe është keq për të gjithë. Ta thith shpirtin

-tha ai, duke lënë të kuptohet se edhe në situatat më emocionale do të vazhdonte t’i refuzonte këto kërkesa.

Komentet e Sean Penn kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi ai njihet prej kohësh si një nga figurat më të drejtpërdrejta dhe më kontroverse të Hollywood-it, i cili nuk ngurron të shprehë mendimet e tij për çështje artistike, sociale dhe politike.