Celebrities Gossip Showbiz

Madonna prek zemrat me albumin e ri, mesazh i ndjerë për vajzën dhe ish-partnerin?

Madonna ka zgjedhur të hapë zemrën në albumin e saj të ri, “Confessions on a Dance Floor Part II”, një projekt që, sipas burimeve pranë artistes, është ndër më personalët e karrierës së saj.

Përmes këngëve, ikona e muzikës rikthehet te marrëdhëniet më të rëndësishme të jetës, duke prekur raportin me vajzën Lourdes Leon, ish-bashkëshortin Sean Penn, si edhe humbjet e dhimbshme në familje.

Një nga këngët që ka ngjallur më shumë interes është dueti me Lourdes Leon. Sipas Madonnës, bashkëpunimi lindi si një mënyrë për të shëruar marrëdhënien mes tyre, pas viteve të karakterizuara nga ulje-ngritje dhe periudha kur nënë e bijë nuk flisnin me njëra-tjetrën.

Burime pranë këngëtares thonë se Lourdes e ka përjetuar me vështirësi fëmijërinë nën hijen e famës së së ëmës, duke e konsideruar Madonnën tepër kërkuese dhe të rreptë. Nga ana tjetër, artistja ka pranuar se është ndier fajtore për presionin që fama e saj botërore pati mbi jetën e vajzës.

Në tekstet e albumit, Madonna i kërkon falje Lourdes për këtë ndikim dhe e quan atë “ylli im i vogël”, një nofkë që fansat e kujtojnë edhe nga albumi i saj i vitit 1998, “Ray of Light”.

Sipas të njëjtave burime, një tjetër pikë përplasjeje mes tyre ishte dëshira e Lourdes për të ndërtuar identitetin e saj, larg etiketës së “vajzës së Madonnës”. Megjithatë, puna e përbashkët në studio duket se i ka afruar sërish dhe marrëdhënia e tyre thuhet se është më e fortë se kurrë.

Albumi përfshin edhe këngë që besohet se i referohen Sean Penn. Edhe pse martesa e tyre përfundoi në vitin 1989, një mik i artistes ka deklaruar se aktori mbetet “dashuria e jetës së saj”. Në një prej këngëve, Madonna lë të kuptohet se Penn ndihej i kërcënuar nga suksesi i saj në kulmin e karrierës.

Projekti është frymëzuar gjithashtu nga sfidat e mëdha personale që artistja ka përjetuar vitet e fundit, përfshirë infeksionin e rëndë bakterial që e la në gjendje kome për katër ditë në vitin 2023, si edhe humbjen e vëllait dhe njerkës së saj.

Sipas këngëtares, “Confessions on a Dance Floor Part II” është më shumë se një album. Ai është një rrëfim intim, ku rikthehet te kujtimet, plagët, dashuritë dhe njerëzit që kanë lënë gjurmën më të thellë në jetën e saj.