Gjatë vizitës në Izrael, kryeministri Edi Rama u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit, akorduar nga presidenti Isaac Herzog, në një ceremoni të organizuar në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem. Rama u shpreh se medalja është një nder që e merr në emër të të gjithë popullit shqiptar, për mbështetjen që tregoi ndaj hebrenjve në periudhën e tyre më të errët.
Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar e mbi të gjitha, në emër të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë, të cilët vunë veten e jetët në rrezik gjatë orëve më të errëta të historisë moderne dhe e kthyen vendin tim në të vetmin vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrej se në fillim të saj.
Rama përmendi faktin se ndryshet nga vendet e tjera, Shqipëria u bë një strehë për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më tej, vuri në dukje se si nazistët iu kërkuan udhëheqësve fetarë në vend që t’u dorëzonin hebrenjtë, por ata refuzuan, duke thënë që mund të merrnin vetëm arin.
Duke u ndalur te lufta në Gaza, Rama theksoi se Shqipëria mbështet zgjidhjen me dy shtete, por argumentoi se zgjidhja nuk mund të vijë me Hamasin, se sipas tij nuk është një lëvizje për rezistencë, por janë nazistët e shekullit të ri.
Ndërkohë, presidenti izraelit tha se populli shqiptar ishte simbol nderi dhe kurajoje me mbështetjen që tregoi ndaj hebrenjve.
Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës, në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit. Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kurajoje. Iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Europës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qenieve njerëzore.