Ushtria izraelite njoftoi se sot ka nisur një ofensivë të re tokësore në lindje të Qytetit të Gazës, me qëllim që të zgjerojë zonën e sigurisë që ka krijuar brenda enklavës palestineze. Izraeli tha se në orët e fundit, trupat e tij kanë nisur të kryejnë aktivitete ushtarake në zonën Shejaija, në veri të Gazës.
Forcat ushtarake kanë eliminuar një numër terroristësh, si dhe shkatërruan infrastrukturë të Hamasit, përfshirë një qendër komanduese që terroristët e grupit radikal palestinez përdornin për të planifikuar dhe kryer sulme terroriste, siç u theksua në njoftimin e ushtrisë.
Izraeli deklaroi se civilët do të lejohen të evakuohen nga zonat e luftimeve përmes “rrugëve të organizuara për sigurinë e tyre”. Një ditë më parë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u shpreh se shteti i tij do të rrisë praninë ushtarake brenda Rripit të Gazës, siç vuri në dukje, për të “shkatërruar dhe pastruar zonën nga terroristët e infrastruktura terroriste”.
Operacioni synon që të marrë nën kontroll zona të mëdha e t’i inkorporojë në atë izraelite të sigurisë, por nuk dha detaje të tjera.
Izraeli ka thënë se do të vazhdojë ofensivën në Gaza, me qëllimin që ta detyrojë Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, që të lirojë pengjet që mori gjatë sulmit ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023 dhe që nxiti luftën në Gaza.
Gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, Hamasi vrau rreth 1 mijë e 200 persona, si dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 50 mijë palestinezë.