Rajoni

Mediat botërore, jehonë zgjedhjeve në Malin e Zi

Mediat ndërkombëtare shkruajnë sot se presidenti malazez, Milo Gjukanoviç dhe Partia e tij Demokratike e Socialistëve (DPS) shënuan dështim në zgjedhjet e djeshme parlamentare. Sipas tyre, mbetet e paqartë si do të bashkëpunojnë tre forcat opozitare që sëbashku duket se fituan shumicën, por programet iu ndryshojnë dukshëm duke nisur nga mbrojtja e lidhjeve më të ngushta me Rusinë e deri te përpjekja për anëtarësimin europian. Referuar analistëve, agjencia franceze “AFP”, ia atribuon rezultatin e dobët të DPS-së,  përplasjeve me Kishën Ortodokse Serbe. Agjencia tjetër e lajmeve, “Reuters” shkruan se “Qeveria pro-serbe mund ta afrojë Malin e Zi me Serbinë e Rusinë, por nuk pritet ta largojë nga NATO ose të heqë dorë nga planet për të hyrë në Bashkimin Europian”.

Për zgjedhjet në Malin e Zi, BBC përmend mundësinë e rezultatave të ndryshme, por thekson se secili prej tyre, përbën goditje për Gjukanoviçin. Në një analizë, nënvizon se “Vendimi i tij për të hyrë në konflikt me Kishën Ortodokse Serbe nxiti pjesëmarrjen më të madhe në zgjedhje, me shumë votues që duket se dëgjuan këshillat e klerikëve për të votuar kundërshtarët e qeverisë”. BBC thotë se do të ketë shqetësime për shkak të elementëve pro-rusë dhe nacionalistë serbë mes partive opozitare nëse arrijnë të formojnë një qeveri koalicioni. “Një ndryshim i qeverisë pas gati 30 vjetësh do t’i dërgonte mesazh botës për Malin e Zi”, – shprehet BBC. Tre partitë e opozitës mund të sigurojnë 41 nga 81 vendet në Parlament.