Shkencëtarët kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm në Papua Perëndimore, ku kanë identifikuar dy specie të vogla gjitarësh që mendohej se kishin qenë të zhdukura prej rreth 6000 vitesh. Sipas një studimi të publikuar në revistën Records of the Australian Museum, në pyjet e largëta tropikale janë gjetur një possum me gishta të gjatë dhe një glider me bisht unazor.

Possumi i rizbuluar ka një karakteristikë shumë të veçantë; në secilën dorë ka një gisht të katërt shumë më të gjatë se të tjerët, i cili e ndihmon të nxjerrë larvat e insekteve nga druri. Kjo specie besohej se ishte zhdukur nga Australia që gjatë epokës së akullnajave. Ndërsa glideri me bisht unazor jeton në zgavrat e pemëve të larta dhe përdor bishtin e gjatë për të kapur degët dhe për t’u lëvizur mes tyre.
Banorët vendas nga fiset Tambrauw dhe Maybrat e konsiderojnë këtë kafshë të shenjtë dhe nuk e gjuajnë apo përmendin emrin e saj për respekt. Sipas studiuesve, pikërisht ndihma e pleqve të këtyre komuniteteve lokale ishte thelbësore për identifikimin dhe rizbulimin e këtyre specieve. Shkencëtari australian Tim Flannery e cilësoi këtë zbulim si jashtëzakonisht të rrallë, duke theksuar se gjetja e një specieje të konsideruar të zhdukur është e pazakontë, ndërsa rizbulimi i dy specieve pas mijëra vitesh është edhe më i habitshëm.