Shkencëtarët kanë identifikuar rreth 30 specie detare të panjohura më parë në thellësitë akullnajore të Antarktidës, një zbulim që tregon se edhe në kushtet më ekstreme, jeta gjen mënyra për të lulëzuar. Ndër to është sfungjeri grabitqar Chondrocladia, i quajtur “topi i vdekjes” për mënyrën se si kap prenë me tentakula ngjitëse dhe krimbi “i blinduar” Eulagisca me pllaka mbrojtëse si metal.
Në mesin e zbulimeve janë edhe yje deti, butakë e karkaleca deti të rinj për shkencën. Por më intriguese janë “krimbat zombi” Osedax, krijesa që ushqehen me eshtra balenash duke përdorur baktere brenda trupit të tyre. Studiuesit thonë se këto specie ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si jeta përshtatet në të ftohtë, errësirë dhe presion ekstrem, njohuri që mund të ndihmojnë edhe në kërkimin për jetë jashtë Tokës.
Rikujtojmë, se një akullnajë në Antarktidë humbi gati gjysmën e gjatësisë së saj në vetëm dy muaj, tërheqja më e shpejtë e regjistruar ndonjëherë, sipas një studimi të botuar në “Nature Geoscience”. Studiuesit zbuluan se akullnaja Hektoria, e vendosur në gadishullin lindor të Antarktidës, u tërhoq rreth 8.2 kilometra midis nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2022. Akullnaja humbi gjithashtu gati 25 kilometra në total midis janarit 2022 dhe marsit 2023.
Shkencëtarët thanë se tkurrja nuk u shkaktua nga ngrohja e oqeanit apo atmosferës, siç supozohej më parë, por nga një kolaps i shpejtë i shkaktuar nga një proces i njohur si copëtimi i akullnajës në rrafshinë, kur akulli shkëputet nga një seksion i sheshtë dhe i dobët i akullnajës. Gjetjet sugjerojnë se akullnajat që mbështeten në të ashtuquajturat fusha akulli mund të jenë shumë më të paqëndrueshme nga sa është kuptuar më parë. Studiuesit paralajmëruan se faktorë të ngjashëm mund t’i bëjnë akullnajat e tjera të Antarktidës të prekshme nga shembja e papritur, me pasoja potencialisht të mëdha për nivelet globale të detit.