Prej javësh të tëra fansat e Britney Spears kanë nisur fushatën online #FreeBritney (lironi Britney) pasi mendojnë se po kërkon ndihmë nëpërmjet postimeve me mesazhe të fshehura në rrjetet sociale.
Nëse jetoni në një univers paralel dhe ende nuk e dini se për çfarë bëhet fjalë. Britney Spears prej 12 vjetësh nuk ka të drejta mbi veten. Ajo është nën kujdestarinë e babait të saj dhe personave të tjerë që marrin vendime të rëndësishme për jetën e saj.
Ky vendim është marrë nga gjykata e Los Angeles të cilët kanë dalë në konkluzionin se Spears nuk është në gjendjen e duhur emocionale për të patur nën kontroll jetën e saj.
Fansat e yllit të muzikës duket se e kanë dramatizuar aq shumë situatën saqë mendojnë se 38-vjeçarja po mbahet peng dhe ka nevojë për ndihmë.
Pas ditësh të shumta ajo ka reaguar nëpërmjet një video-je të postuar në Instagram duke shpjeguar se gjithçka shkon mirë dhe këto teori nuk janë të vërteta. Sa i përket shëndetit dhe mirëqenies së saj, ajo i ka kërkuar të gjithëve të respektojnë privatësinë që ajo dhe familja e saj meritojnë.