Mësimi i gjuhëve të reja e ndryshon fizikisht trurin dhe rrit aftësitë njohëse (cognitive abilities). Por çfarë ndodh vërtet në tru, dhe a ju bën vërtet të folurit e shumë gjuhëve më të zgjuar? Ka shumë arsye për të mësuar një gjuhë të re. Mund të jetë për punë, kulturë ose dëshirë për të kuptuar më mirë njerëzit e një rajoni. Studimet tregojnë se të mësuarit e gjuhëve ndihmon edhe shëndetin e përgjithshëm të trurit.
Mësimi i një gjuhe të re është njësoj si të stërvitni trurin tuaj. Ashtu si muskujt forcohen me stërvitjen fizike, rrugët nervore në tru riformësohen kur mësoni një gjuhë të re. Kjo është ajo që nënkuptojnë neuroshkencëtarët, kur thonë se njerëzit që flasin shumë gjuhë e përpunojnë informacionin ndryshe, nga ata që flasin një gjuhë. Por, çfarë ndodh vërtet në tru dhe a ju bën të folurit e shumë gjuhëve më të zgjuar?
Një studim gjerman në vitin 2024 mati aktivitetin e trurit të refugjatëve sirianë para, gjatë dhe pasi ata mësuan gjuhën gjermane. Ai zbuloi se truri i njerëzve krijonte lidhje të reja ndërsa ata bëheshin më të aftë në gjermanisht. “Ri-lidhja e trurit” do të thotë që strukturat e neuroneve të trurit ndryshuan fizikisht. Ky proces, i quajtur neuroplasticitet është mekanizmi që qëndron në themel të të mësuarit.
Prandaj, të mësuarit e një gjuhe të re kërkoi mënyra të reja, që truri i pjesëmarrësve të kodonte, ruante dhe merrte informacione të reja gjuhësore. Ndryshimet strukturore në tru ndryshojnë gjithashtu mënyrën se si funksionon truri, pasi ndryshon fizikisht mënyrën se si komunikojnë neuronet. Ky i ashtuquajtur “plasticitet neuronal” ndihmon të mbani mend fjalët më shpejt, të njihni më mirë tingujt e rinj e të përmirësoni shqiptimin duke kontrolluar muskujt e gojës.
Mësimi i gjuhëve në fëmijëri është një avantazh
Studimet tregojnë se ne përdorim të njëjtat rrjete të trurit për të gjitha gjuhët, por truri reagon ndryshe ndaj gjuhës amtare. Një studim zbuloi se aktiviteti i trurit në rrjetet gjuhësore u ul kur pjesëmarrësit dëgjuan gjuhën amtare. Kjo sugjeron që gjuha e parë që mësoni, përpunohet ndryshe në tru me përpjekje minimale, thonë studiuesit.
Studimet gjithashtu tregojnë se është shumë më e lehtë për fëmijët e vegjël të mësojnë gjuhë të reja sesa për të rriturit. Truri i fëmijëve të vegjël është ende në zhvillim dhe është më i përshtatshëm për plasticitetin e të mësuarit nervor. Ndryshe nga të rriturit, ata nuk kanë nevojë të përkthejnë nga gjuha e tyre e parë, kështu që ata i mësojnë tingujt, gramatikën dhe fjalët më lehtë.
Në një moshë të re nuk ka aq shumë ngurtësi në tru. Truri i të rriturve është tashmë i strukturuar rreth gjuhës së tyre të parë, kështu që një gjuhë e dytë duhet të përshtatet me njohuritë ekzistuese, në vend që të zhvillohet në mënyrë të pavarur pasi mbështetet në rrjetet nervore të krijuara më parë, thonë studiuesit. / Shqip.al