Aktualitet

Meta sot në GJKKO, mbahet seanca paraprake për kalimin ose jo të dosjes për gjykim!

Në Gjykatën e Posaçme, sot mbahet seanca paraprake për dosjen “Meta”. Në seancën kaluar ishte i pranishëm edhe vetë Ilir Meta, i cili kërkoi që të njihet me aktet. GJKKO-ja ka urdhëruar SPAK-un që ish-presidentit t’i vendoset në dispozicion një pjesë e akteve.

Raportohet se Ilir Meta nuk ka kërkuar të gjithë dosjen, por vetëm një pjesë të akteve ku SPAK-u pretendon se implikojnë ish-presidentin.

Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Aty përfshihen hetime në aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që nga tetori 2024, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.