Pas afrimeve të sulmuesit Gonçalo Ramos dhe mbrojtësit qendror Mario Gila, Milani po përqendrohet te përforcimi i krahëve në këtë merkato vere.
Sipas mediave italiane, largimi i Pervis Estupinan mund të hapë rrugën për transferimin e Noussair Mazraoui nga Manchester United. Aston Villa ka shfaqur interes për mbrojtësin ekuadorian dhe, nëse ai rikthehet në Premier League, kuqezinjtë do të intensifikojnë lëvizjet për marokenin.
Trajneri i ri Ruben Amorim e konsideron Mazraouin një përforcim ideal. Portugezi e ka stërvitur lojtarin te Manchester United dhe i ka kërkuar drejtuesve të Milanit ta sjellin në “San Siro”.
Aktualisht, kontaktet me agjenten e futbollistit, Rafaela Pimenta, janë në vazhdim, megjithëse Milani ende nuk ka paraqitur një ofertë zyrtare ndaj Manchester United.
Mazraoui, i cili do të mbushë 29 vjeç në nëntor, ka një eksperiencë të pasur me Ajax, Bayern Munich dhe Manchester United. Në Kupën e Botës ai tregoi edhe një herë fleksibilitetin e tij, duke luajtur si mbrojtës i djathtë, i majtë, por edhe në role të tjera defensive.
Te Milani ai shihet si zëvendësuesi ideal i Estupinanit në krahun e majtë, ndërsa prania e tij do t’i lejonte Alexis Saelemaekers të luante më përpara në repartin ofensiv. Gjithashtu, aftësia e Mazraouit për të luajtur në disa pozicione e bën atë një armë të vlefshme për Amorimin.
Ndërkohë, Zlatan Ibrahimovic ka folur me superlativa për mbrojtësin maroken. Duke komentuar për Fox Sports, ish-sulmuesi suedez e cilësoi Mazraouin si futbollistin më të mirë të Marokut.
“Kur luan Maroku, unë gjithmonë ndjek Mazraouin. Ai është mbrojtës i djathtë natyral, por mund të luajë edhe në të majtë me të njëjtën inteligjencë dhe intensitet. Ajo që më pëlqen më shumë është mentaliteti i tij. Nuk i intereson nëse e kalojnë një apo dy herë, ai dëshiron vetëm ta rifitojë topin”, u shpreh Ibrahimovic.
Ai shtoi se: “Për mua, Mazraoui është lojtari më i mirë i Marokut. Jo vetëm për cilësinë me topin, por edhe për zemrën dhe karakterin që tregon në çdo ndeshje.”
Deklaratat e Ibrahimovicit kanë shtuar edhe më shumë spekulimet se Milani është seriozisht i interesuar për transferimin e mbrojtësit maroken gjatë kësaj vere.