Bryan Johnson, një milioner teknologjie i fiksuar pas rinisë së përjetshme, ka zbuluar se është diagnostikuar me një sëmundje të pashërueshme
Johnson, i cili ka shkuar deri aty sa të shkëmbejë gjak me djalin e tij adoleshent, si një nga metodat më të pazakonta kundër plakjes me të cilat synon të ruajë rininë sa më gjatë dhe të zgjasë jetën, ka publikuar në X diagnozën. Johnson njoftoi se është diagnostikuar me një sëmundje autoimune të quajtur gastrit autoimun (AIG).
“Stomaku im po ha vetveten”, është shprehur ai.
AIG është një sëmundje kronike inflamatore që prek mukozën e stomakut. Sipas Global Autoimmune Institute, antitrupat dhe autoantitrupat sulmojnë qelizat e stomakut që prodhojnë acid. Me fjalë të tjera, sistemi imunitar, në vend që të mbrojë organizmin, sulmon vetë stomakun.
48-vjeçari i cili dikur pretendonte se kishte “biomarkerët më të mirë në botë”, ka bërë transfuzione gjaku nga dhurues anonimë të shëndetshëm, ka marrë një numër të madh ilaçesh dhe ka monitoruar në mënyrë të detajuar treguesit e shëndetit të tij, përfshirë edhe shpeshtësinë e ereksioneve.
Megjithëse nuk ka kurë për AIG, ajo zakonisht nuk ndikon në jetëgjatësinë e pacientit dhe mund të menaxhohet me suplemente dhe ndryshime në stilin e jetesës. Por, njerëzit me këtë sëmundje kanë një rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar kancer të stomakut.
“Trupi im filloi të zhvillonte një proces autoimun që preku fillimisht tiroiden dhe më pas mukozën e stomakut,” shkroi Johnson.
Ai tregoi se në moshën 21-vjeçare ishte diagnostikuar me hipotiroidizëm gjatë një analize rutinë gjaku. Ekipi i tij mjekësor tha se sëmundjet autoimune të tiroides dhe stomakut shpesh shfaqen së bashku, aq shpesh sa kjo gjendje ka edhe një emër: sindroma tirogastrike.
Kjo i bëri mjekët të dyshonin se sistemi imunitar i Johnson po sulmonte edhe stomakun e tij.
Johnson theksoi se shkëmbimi i gjakut me djalin e tij 17-vjeçar nuk ishte shkaku i zhvillimit të kësaj sëmundjeje autoimune. Megjithatë, biohakeri nuk ka ndërmend ta pranojë diagnozën dhe synon të gjejë një mënyrë për ta mposhtur sëmundjen.
“Mjekësia moderne ka normalizuar shumë sëmundje që dëmtojnë shëndetin, funksionimin dhe mirëqenien tonë, duke e kufizuar objektivin vetëm te monitorimi dhe menaxhimi, ndërsa rrallëherë tentohet të gjendet një kurë,” tha Johnson.
Ai shtoi se shumë prej këtyre përfundimeve janë vendosur dekada më parë, në një kohë kur teknologjitë dhe zbulimet shkencore të sotme nuk ekzistonin.
Johnson beson se zhvillimet në inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e avancuara të ADN-së do t’i mundësojnë ekipit të tij të kërkojë një mënyrë për të zgjidhur problemin e gastritit autoimun përmes monitorimit dhe analizave të avancuara.
“Për të qenë i qartë: sot nuk ekziston një kurë e miratuar për gastritin autoimun. Mjekësia e trajton si një sëmundje që duhet menaxhuar, jo zgjidhur,” tha ai.
Megjithatë, Johnson deklaroi se ka shpallur “luftë” ndaj kësaj sëmundjeje, si pjesë e misionit të tij për të zgjatur jetën sa më shumë.