Millie Bobby Brown ka folur hapur për vështirësitë që ka përjetuar gjatë rritjes si yll i famshëm, duke pranuar se edhe sot e ka të vështirë të lidhet me bashkëmoshatarët.
Në një intervistë në podcast-in Happy Sad Confused, aktorja u pyet nëse mendon se humbi disa përvoja të rëndësishme të fëmijërisë për shkak të famës së hershme.
Brown pranoi se sfida më e madhe për të ka qenë socializimi, pasi nuk pati një shkollim tradicional dhe u rrit kryesisht në sheshet e xhirimit.
Thjesht nuk di ndonjëherë si të sillem me njerëzit e moshës sime. Është më e vështirë për mua, sepse jam rritur kryesisht duke punuar me burra
-u shpreh aktorja.
Ylli i “Stranger Things” tregoi se shumica e kolegëve me të cilët kaloi vitet e adoleshencës ishin burra mbi 40 vjeç.
Kështu, gjatë rritjes kam dëgjuar shumë biseda të të rriturve dhe nuk kam folur për gjërat për të cilat zakonisht flasin fëmijët
-tha ajo.
Brown shtoi se ka njohuri të mëdha për kamerat, procesin e xhirimeve dhe industrinë e filmit, por shpesh e ka të vështirë të marrë pjesë në bisedat tipike të bashkëmoshatarëve të saj.
Mund të flas për objektivat e kamerës, teknikat e xhirimit dhe procesin e prodhimit, por jo gjithmonë për baret apo restorantet që pëlqejnë njerëzit e moshës sime
-rrëfeu ajo.
Aktorja zbuloi gjithashtu se jeta e saj shoqërore ka ndryshuar ndjeshëm falë bashkëshortit të saj, Jake Bongiovi.
Ai është krejtësisht i kundërt me mua. Kur e njoha, u përpoqa të përqendrohesha më shumë te jeta shoqërore. Tani jam në një fazë shumë më shoqërore
-përfundoi Millie Bobby Brown.