Aktualitet

Ministrat Lamallari e Gogu, takim me kryeministrin Rama në Vilën 30!

Në Vilën 30 në Tiranë, sot kryeministri Edi Rama mblodhi ministra, zv.ministra e drejtorin e Komanduar të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga. Nga dikasteri i Brendshëm ishin ministri Besfort Lamallari dhe tre zv.ministrat Xhemal Qefalia, Silva Caka e Anisa Ruseti.

Në fokus, prioritetet e çdo sektori.

Shefi i qeverisë priti edhe ministrin e ri të Drejtësisë, Toni Gogu, siç mësohet, për të caktuar çështjet që duhet të çohen para, përfshirë ndryshimet në Kodin Penal.

Krahas Bizhgës, Rama u takua edhe me drejtorin e Illyrian Guard, Florenc Spaho.

Një takim pati edhe me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, për të diskutuar projektligjin lidhur me sistemin e adresave.

Të tilla takime rutinë, kreu i Ekzekutivit pati edhe javën e kaluar me stafe të ministrive të Infrastrukturës e të Bujqësisë.