Aktualitet Politikë

Ministri Vengu: Këtë vit nis prodhimi i municioneve dhe dronëve Made in Albania!

Sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme ishte ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, për të prezantuar një paketë të re ligjore për importin, eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit e municioneve me qëllim përputhjen ne direktivat e OKB-së dhe BE-së.

Vengu thekson se këto ndryshime do të rrisin sigurinë e importit, eksportit apo tranzitit të armëve të zjarrit, nevojë reale për modernizimin e kontrollit shtetëror.

Projektligji për importin, eksportin, tranzitin e armëve të zjarrit dhe municioneve, vjen si përgjigje për një nevojë reale për të modernizuar kontrollin shtetëror mbi transferimin ndërkombëtar të armëve të zjarrit.

Detyrimet që na çuan drejt kësaj reformë burojnë nga protokolli i OKB-së kundër prodhimit të paligjshëm dhe trafikimit të armëve të zjarrit e nga ana tjetër, edhe nga direktivat e fundit të BE-së.

Ministri i Mbrojtjes, Vengu raportoi se parashikohet që armatimet e para Made in Albania, të prodhohen brenda vitit.

Kemi 6 kontrata të nënshkruara për krijimin e 6 kompanive të përbashkëta shtet-privat përmes kompanisë KAYO. 6 kontratat parashikojnë prodhimin  e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidronë e mjeteve të emergjencave civile.

Presim që produktet e para Made in Albania, prodhimet e para, të fillojnë këtë vit. Kemi hyrë në fazën që duam të sigurojmë zinxhirin e furnizimit të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet, që të jemi në përputhje edhe me standardet e NATO-s.