Politikë

Ministria e Jashtme përgënjeshtron PD-në: Mesazhet e ministrit, të fabrikuara!

Ministria e Jashtme ka reaguar në lidhje me mesazhet e ministrit Ferit Hoxha, të publikuara sot nga PD.

Zëdhënësi i MEPJ, Alteo Hysi, ka deklaruar se mesazhet janë të pavërteta dhe një fabrikim.

“Zëdhenësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë.
Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend.
Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre.
Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”, thuhet në reagim.

Më herët Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas publikimit të një mesazhi të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, që sipas tij përmban gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në reagimin e tij, Bardhi dënon “me forcën më të madhe dhe pa asnjë ekuivok” deklaratën që e cilëson skandaloze dhe denigruese. Ai thekson se është e papranueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve me terma ofendues, duke shtuar se një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik.

“Është e patolerueshme që ministri përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të përdorë një gjuhë të tillë. Një deklaratë e tillë e bën të pamundur vijimin e detyrës qoftë edhe për një minutë më shumë”, shprehet Bardhi.

Sipas tij, kjo retorikë jo vetëm që cenon dinjitetin e shqiptarëve, por krijon edhe perceptimin se përfaqësues të caktuar nuk mbrojnë interesat e Shqipërisë.  Më tej, ai theksoi se një qëndrim i tillë bie ndesh me nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Hoxha.