Aktualitet

Mirditë, lëndë plasëse pranë makinerive të kompanisë së inerteve!

Një sasi lënde plasëse është konstatuar mëngjesin e sotëm pranë makinerive të një kompanie inertesh në zonën e Spaçit, në Mirditë.

Sipas informacioneve paraprake, lënda u vu re nga punonjësit e kompanisë, të cilët njoftuan menjëherë policinë. Fatmirësisht, nuk ka shpërthyer, duke shmangur pasoja të rënda.

Për në vendngjarje janë thërritur forcat xheniere për të kryer çaktivizimin e lëndës plasëse, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vendosjes dhe autorët e mundshëm.

Ngjarja ka krijuar shqetësim në zonë e autoritetet lokale kanë siguruar se po merren të gjitha masat për garantimin e sigurisë së punonjësve dhe komunitetit.