Bota

Mision për ta gjetur pilotin e avionit të rrëzuar amerikan në Iran!

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për një anëtar të ekuipazhit amerikan, i zhdukur pasi një avion luftarak amerikan u rrëzua mbi Iran. Ky ishte një nga dy avionët e forcave të SHBA-ve që thuhet se u goditën dhe u rrëzuan në rajon një ditë më parë.

Një zyrtar amerikan konfirmoi se një anëtar i ekuipazhit është gjetur, ndërsa kërkimet po vazhdojnë për anëtarin e dytë, pas rrëzimit të avionit të parë amerikan nga zjarri i armikut që nga fillimi i luftës, në fund të shkurtit. Mjeti ishte një F-15E, me dy vende.

Mediat shtetërore iraniane gjithashtu shkruan për rrëzimin e të dy avionëve.

Zyrtarët iranianë thanë se edhe ata po kërkonin anëtarin e zhdukur të ekuipazhit të avionit të parë dhe u bënë thirrje qytetarëve t’i njoftojnë autoritetet rreth çdo informacioni që mund të çojë në kapjen e aviatorit.

Ushtria amerikane nuk ka komentuar, por presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i tha NBC News-it se rrëzimi i avionit nuk do të ndikojë në bisedimet me Teheranin.

Vazhdimisht, Trump po ushtron presion ndaj Teheranit për ta pranuar një marrëveshje për paqe me SHBA-të dhe që drejtuesit e regjimit e kanë hedhur poshtë deri më tani.

Nëse një anëtar i ekuipazhit kapet nga forcat iraniane, kjo do të rrisë tensionet tashmë të larta e ka të mundësi t’i ndërlikojë përpjekjet e SHBA-ve për t’i rrënuar plotësisht asetet ushtarake të Teheranit e për ta detyruar regjimin t’i pranojë kushtet e paqes të paraqitura nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Izraeli ka shtyrë sulmet e planifikuara ndaj Iranit, për të mos ndërhyrë në përpjekjet e kërkimit për anëtarin e ekuipazhit amerikan, u thanë zyrtarë perëndimorë gazetarëve gjatë një telefonate.

Strategjia e kërkim-shpëtimit

I pyetur se çfarë do të përfshinte një operacion i mundshëm kërkim-shpëtimi, Richard Allen Williams, kolonel në pension i ushtrisë amerikane dhe ish-zyrtar i Divizionit të Investimeve të Mbrojtjes në NATO, i tha REL-it se të tilla misione, zakonisht janë shumë të bashkërenduara e të mbrojtura fort.

Ka të gjasa që komandantët të vendosin një avion të dedikuar për mbikëqyrje ajrore, për të monitoruar operacionin, i mbështetur nga mjete sigurie ajrore e forca tokësore, të afta për të ofruar mbështetje me armë zjarri, nëse është e nevojshme.