Julia Fox ka ndezur rrjetet me sjelljen e saj gjatë një interviste për filmin e ri “Him”, ku u përplas me aktorin Marlon Wayans për temën e “burrit të vërtetë”.
Gjatë bisedës, Fox ndërhynte vazhdimisht ndërsa Wayans përpiqej të shpjegonte mendimin e tij, duke krijuar një debat të nxehtë që u bë viral.
Aktorja, e njohur për natyrën e saj të drejtpërdrejtë dhe për deklaratat e hapura mbi marrëdhëniet me burrat, nuk kurseu as këtë herë qëndrimet e saj. E deklaruar si panseksuale dhe pas një periudhe dyvjeçare celibati, Fox është shprehur më parë se nuk dëshiron të dalë më me burra – dhe këtë qëndrim e solli edhe në intervistë.
Kur Wayans tha se “të rinjtë duhet të mësojnë çfarë do të thotë të jesh burrë i vërtetë”, Julia e ndërpreu menjëherë:
Çfarë është saktësisht ‘burrë i vërtetë’?
Aktori tentoi të sqaronte se “burrë i vërtetë është ai që merr përgjegjësi”, por Fox reagoi me tone të ashpra:
Sa herë që një burrë bën diçka të gabuar, ju thoni ‘ai s’është burrë i vërtetë’. Për mua, ai duket tamam si burrë!
Për të zbutur situatën, Wayans shtoi se “një burrë i vërtetë është ai që është në kontakt me anën e tij femërore”. Fox e kundërshtoi sërish me ironi:
Nëse duket si rosë dhe ecën si rosë – është rosë, apo jo?
Në vijim, aktorja u shpreh se koncepti i “burrit të vërtetë” është “një justifikim për sjellje të këqija” dhe se “të gjithë burrat janë burra të vërtetë, pavarësisht çfarë bëjnë”.
Për të ulur tensionin, aktori i ri Tyriq Withers ndërhyri duke thënë:
Ekziston një mit për atë çfarë ‘burrat e vërtetë’ duhet të bëjnë, dhe kjo lidhet me konceptin toksik të burrërisë. Është e rëndësishme që djemtë të mësojnë të pranojnë ndjeshmërinë dhe anën e tyre të brishtë
Pas publikimit të klipit nga BAFTA në TikTok, reagimet u ndanë në dy kampe. Disa e kritikuan Fox-in për ndërhyrjet e vazhdueshme – “As që e la të flasë”, shkroi një komentues.
Ndërsa të tjerë e mbështetën fuqishëm:
Julia tha atë që shumë gra mendojnë… E pamposhtur si gjithmonë
-shkruan disa ndjekës.
Filmi “Him”, ku Fox luan rolin e bashkëshortes manipuluese të personazhit të Wayans, pritet të sjellë jo vetëm tension në ekran, por edhe debate jashtë tij – siç po ndodh tashmë në rrjetet sociale.