Në një studim të ri, shkencëtarët kanë arritur të identifikojnë individët vetëm përmes modelit të tyre të frymëmarrjes me saktësi prej afro 97 për qind. Studiuesit zbuluan se secili person ka një model frymëmarrjeje unik, i cili lidhet me karakteristikat fizike dhe mendore të tij. Megjithëse ndodh në mënyrë të pavetëdijshme, frymëmarrja kontrollohet nga një rrjet kompleks truri. “Ajo duhet të jetë e koordinuar pothuajse me gjithçka,”-shpjegon Noam Sobel, neurobiolog në Institutin Weizmann të Shkencës në Izrael.
Nga të folurit, te noti e deri te përqendrimi, sistemi i frymëmarrjes bashkëpunon me zona të ndryshme të trurit, përfshirë ato që kontrollojnë gjuhën, emocionet dhe lëvizjet. Sipas neuroshkencëtarit, Detlef Heck nga Universiteti i Minesotës, çdo frymëmarrje ndryshon presionin në zgavrën e hundës dhe aktivizon neurone që dërgojnë sinjale në tru, duke ndikuar në përqendrim, kujtesë, madje edhe në rregullimin e stresit.
Shkencëtarët zhvilluan një pajisje të lehtë që vendoset në hundë dhe mat vazhdimisht qarkullimin e ajrit për 24 orë. Njëqind të rritur të shëndetshëm e përdorën pajisjen gjatë aktiviteteve të përditshme, duke regjistruar gjithashtu aktivitetet në një aplikacion mobil. Çdo pjesëmarrës kishte një model frymëmarrjeje tërësisht të ndryshëm. Me ndihmën e inteligjencës artificiale, studiuesit arritën të identifikojnë individët vetëm përmes këtyre modeleve me 96.8% saktësi, një saktësi që qëndroi konstante edhe pas dy vjetësh.
Kjo “shenjë dalluese e frymëmarrjes” ofronte gjithashtu të dhëna për gjendjen mendore e fizike të individit, për shembull, ata me ankth më të lartë kishin frymëmarrje më të shkurtra dhe me pauza më të çrregullta gjatë gjumit. Sipas studiuesve, hunda është shumë e lidhur me trurin për shkak të zhvillimit të shqisës së nuhatjes, një nga shqisat më të hershme te gjitarët. Frymëmarrja përmes hundës ndikon në krijimin e imazheve mendore dhe kujtimeve, çka e bën të rëndësishme edhe për përpunimin e informacionit vizual dhe hapësinor.
Sipas Daniel Kluger, neuroshkencëtar nga Universiteti i Münsterit në Gjermani, njerëzit arrijnë rezultate më të mira në detyra vizuale ose të kujtesës kur marrin frymë sesa kur nxjerrin frymën, kjo ndodh sepse truri është më i ndjeshëm ndaj informacionit të ri gjatë frymëmarrjes. Studiuesit besojnë se kjo qasje e re mund të përdoret për të zhvilluar mjete të reja diagnostikuese për gjendjet mendore dhe fizike. “A është frymëmarrja që ndikon në depresion apo depresioni që ndikon në frymëmarrje?”-pyet Sobel. Nëse është opsioni i parë, atëherë trajnimi për një frymëmarrje të ndryshme mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të depresionit apo ankthit.