Tensioni i lartë i gjakut, i njohur si hipertensioni, është një nga sëmundjet më të përhapura në botë, duke prekur mbi 1.28 miliardë njerëz globalisht. Vetëm në SHBA, afërsisht gjysma e të rriturve vuajnë nga kjo gjendje që, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në pasoja të rënda si sëmundje të zemrës dhe goditje në tru.
Sipas specialistëve të shëndetit, përveç trajtimeve mjekësore, ekzistojnë edhe disa mënyra natyrale dhe efektive për të kontrolluar tensionin pa përdorur ilaçe. Këto janë disa prej tyre:
Aktiviteti fizik i rregullt
Ecja e përditshme apo ushtrime të lehta si vrapi dhe noti ndihmojnë në përmirësimin e funksionit të zemrës dhe në uljen e presionit të gjakut. Rekomandohet të kryhen të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë.
Reduktimi i konsumit të kripës
Kripa është një nga faktorët kryesorë që ndikon në rritjen e tensionit të gjakut. Ekspertët këshillojnë të shmangni ushqimet e përpunuara dhe të përdorni erëza natyrale për shije.
Kufizimi i konsumit të alkoolit
Alkooli, edhe në doza të vogla, mund të ndikojë negativisht në tensionin e gjakut. Prandaj, kufizimi ose shmangia e tij është një masë parandaluese e rëndësishme.
Reduktimi i kafeinës
Kafeina mund të shkaktojë rritje të përkohshme të tensionit, veçanërisht nëse konsumohet para matjes së tij. Personat e ndjeshëm ndaj kafeinës duhet ta reduktojnë ose ta shmangin atë.
Menaxhimi i stresit
Stresi afatgjatë ndikon negativisht në shëndetin kardiovaskular. Teknikat si meditimi, frymëmarrja e thellë dhe aktivitetet relaksuese ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut.
Humbja në peshë
Mbipesha rrit ndjeshëm rrezikun për hipertension. Humbja edhe e një sasie të vogël peshe, si 5% e peshës trupore, ka ndikim pozitiv në tensionin e gjakut dhe shëndetin e zemrës.
Ekspertët nënvizojnë se këto metoda natyrale mund të jenë të mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll tensionin, veçanërisht në fazat e hershme të hipertensionit. Ata rekomandojnë që çdo ndryshim në stilin e jetesës të bëhet në konsultim me një mjek.