Mushkëritë janë ndër organet më të rëndësishme të trupit të njeriut, pasi sigurojnë shkëmbimin e oksigjenit dhe dioksidit të karbonit, proces që garanton funksionimin normal të gjithë organizmit.
Por me pandeminë e COVID-19 që sulmoi drejtpërdrejt sistemin respirator, vëmendja ndaj shëndetit të mushkërive është bërë më e domosdoshme se kurrë.
Ekspertët paralajmërojnë se disa simptoma, shpesh të neglizhuara, mund të jenë sinjalet e para të një problemi serioz.
Vështirësia në frymëmarrje dhe kollitja e vazhdueshme janë ndër shenjat më të shpeshta që tregojnë se diçka nuk shkon si duhet.
Nëse ndjeni se po mbeteni pa frymë ose kolla nuk ndalet, rekomandohet që të mos e injoroni situatën dhe të konsultoheni me një mjek.
Një tjetër tregues alarmant është prezenca e tingujve të çuditshëm gjatë frymëmarrjes, një fenomen që mund të nënkuptojë bllokim të rrugëve të frymëmarrjes dhe probleme serioze të ajrosjes së trupit.
Por shenja më shqetësuese mbetet kollitja me gjak, e cila mund të lidhet me sëmundje të rënda të mushkërive dhe kërkon ndërhyrje mjekësore të menjëhershme.
Ekspertët këshillojnë që çdo simptomë të vlerësohet pa humbur kohë, në mënyrë që të shmangen komplikacione të rënda shëndetësore.
Mjekët theksojnë se kujdesi i hershëm dhe diagnostikimi në kohë mund të luajnë rol të jashtëzakonshëm në parandalimin e pasojave fatale për shëndetin respirator.